
Kryeministri Edi Rama ka treguar një nga vendimet që synon të marrë pasi të përfundojë detyrën në krye të qeverisë: të largohet nga rrjetet sociale.
Deklarata u bë gjatë podcastit të tij të përjavshëm, ku këtë të diel kishte të ftuar dy sipërmarrës që, pas disa vitesh pune jashtë vendit, janë rikthyer dhe kanë investuar në Shqipëri.
Gjatë bisedës, një prej sipërmarrësve nga Malësia e Madhe tregoi se nuk e përdor shumë internetin dhe rrjetet sociale, megjithëse së fundmi po përpiqet të promovojë më tepër biznesin e tij.
Rama reagoi duke i thënë se e kishte zili pikërisht për këtë mënyrë jetese, pasi sipas tij mungesa e rrjeteve sociale të jep më shumë qetësi.
“Je shumë rehat, të kam shumë zili. Një nga gjërat që unë do të bëj kur të mos jem kryeministër, do jem ‘stop’ me rrjetet sociale”, deklaroi Rama.
Kryeministri është një nga politikanët shqiptarë më aktivë në platformat sociale, të cilat i përdor rregullisht për komunikimin e vendimeve të qeverisë, aktivitetet politike dhe mesazhet drejtuar publikut.






