Deputeti socialist Erion Braçe ka bërë një ndryshim që po tërheq vëmendjen në profilin e tij në Facebook, vetëm pak ditë pas përplasjes publike me kryeministrin Edi Rama për votën ndaj Reformës Territoriale.

Në krye të profilit të tij, Braçe ka vendosur me germa të mëdha shprehjen: “TANI I LIRË!”.

Poshtë saj, ai vijon të prezantohet si “Deputet i Tiranës, fitues me votë në Bashkinë e madhe, Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë, posaçërisht në Diasporë”.

Ndryshimi vjen pas një reagimi të gjatë të Braçes, ku ai shpjegoi pse votoi pro hartës së re territoriale, pavarësisht kundërshtive që kishte shprehur më parë. Deputeti socialist deklaroi se kishte votuar “që të mos ikte, por të qëndronte dhe të bënte punën”, ndërsa kritikoi atë që e quajti “dhunë të disiplinës” brenda Partisë Socialiste.

Braçe iu drejtua drejtpërdrejt edhe Ramës, duke deklaruar se nuk i lejon kryeministrit të flasë në emër të votës së tij dhe se kreu i qeverisë e ka të vështirë të “lëshojë pushtet”.

Për momentin, Braçe nuk ka dhënë një shpjegim publik se çfarë nënkupton konkretisht me shprehjen “TANI I LIRË!” dhe nëse ajo lidhet me ndonjë vendim politik apo vetëm me qëndrimin e tij personal pas debatit të ditëve të fundit.

Braçe thotë se vendimi i tij nuk duhet interpretuar si një votë personale për kryeministrin Edi Rama dhe kundërshton ashpër mënyrën se si kreu i qeverisë komentoi rezultatin e votimit.

“Nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time”, shkruan Braçe, duke shtuar se Rama e di se ai “nuk ka votuar pro tij”.

Deputeti socialist i kërkon kryeministrit të sqarojë edhe deklaratën për “duart e pista, ca të dukshme e ca të padukshme, por të zbuluara tanimë”, të cilën Rama e përdori pas miratimit të reformës.

Braçe thotë se qëndrimi i tij fillestar kundër projektligjit nuk ishte i ndikuar nga askush. Sipas tij, ajo që u miratua nuk përbën ende një reformë të mirëfilltë, por “një vizatim të ri të territorit administrativ”, të cilin e konsideron të përkohshëm dhe të pamjaftueshëm.

Por pjesa më e drejtpërdrejtë e reagimit lidhet me arsyen pse në fund ngriti kartonin jeshil.

“Unë votova që të mos iki, por të qëndroj, të bëj punën”, deklaron Braçe.

Ai tregon se brenda grupit socialist është përballur me logjikën “ose voto, ose je jashtë këtij grupi”, të cilën e cilëson një model antidemokratik.

Sipas Braçes, përdorimi i disiplinës partiake për të detyruar një deputet të votojë ndryshe nga bindja e tij është “deformimi më i madh antidemokratik që po i ndodh Partisë së Socialistëve”.

Deputeti thotë se zgjodhi të qëndrojë në grupin parlamentar për të vazhduar punën për njerëzit që e kanë votuar, duke iu referuar rreth 25 mijë votave që mori.

“Punën ma kanë dhënë njerëzit me votë”, thekson ai.

Braçe sqaron se vota e tij nuk ndryshon bindjen se vendi ka nevojë për një reformë shumë më të thellë të pushtetit vendor. Sipas tij, qeveria duhet të transferojë drejt bashkive më shumë kompetenca, funksione, buxhet, taksa, prona dhe mundësi investimi.

Ai thotë se gjatë diskutimeve ka pyetur vazhdimisht nëse qeveria është e gatshme të “lëshojë dhe transferojë pushtet”, por pretendon se nuk ka marrë një përgjigje të qartë.

Braçe rezervon kritika të drejtpërdrejta edhe për Ramën.

“Unë mendoj që e ka të vështirë të lëshojë pushtet. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë dhe autoritetin që ai jep”, shkruan deputeti socialist.

Megjithatë, Braçe pranon se Rama e ka përdorur pushtetin edhe “për mirë”, duke sjellë ndryshime në vend, por shton se e ka shpërdoruar atë duke ua deleguar “ministrave dhe drejtorëve të padenjë”.

Ai i kërkon kryeministrit të pranojë edhe përgjegjësinë personale për vendimet e gabuara.

“Ka bërë gabime, të rënda disa, që duhet t’i pranojë nominalisht si të tijat. Të marrë e mbajë përgjegjësi”, shkruan Braçe.

Në fund, deputeti socialist këmbëngul se qëndrimi i tij lidhet me reformimin real të pushtetit vendor dhe jo me mbështetjen personale për Ramën.

“Unë qëndrova për këtë, për punën që jam votuar të bëj, asgjë tjetër”, përfundon Braçe.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu