
Një mesazh kërcënues i dërguar në adresat elektronike zyrtare të disa institucioneve shtetërore ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit dhe strukturat e sigurisë këtë të premte.
Në email pretendohej se në ndërtesat e institucioneve ishin vendosur mjete shpërthyese dhe se shpërthimi do të ndodhte brenda një ore. Mesazhi përmbante gjithashtu kërcënime ndaj shqiptarëve dhe pretendonte se vinte nga një person që paraqitej si drejtues i një “milicie serbe”.
AIA.al mëson se gjatë orëve të mëngjesit është kontrolluar me qen antieksploziv edhe zyra e kryeministrit Edi Rama, në kuadër të kontrolleve të ndërmarra pas mbërritjes së emailit kërcënues.
Policia e Shtetit njoftoi se verifikimet nisën menjëherë dhe se deri tani nuk është konstatuar asnjë lëndë shpërthyese në institucionet e kontrolluara.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat e specializuara të Policisë po punojnë për identifikimin e burimit të mesazhit dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Edhe Agjencia për Media dhe Informim reagoi për situatën, duke bërë të ditur se Policia e Shtetit, AKSHI dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike kanë nisur verifikimet secili sipas kompetencave.
Sipas analizave të deritanishme të autoriteteve, emailet kërcënuese janë pjesë e një fushate dezinformimi. Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e tyre dhe personat që qëndrojnë pas dërgimit.






