
Debate të forta janë shënuar në sallën e Kuvendit mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për kohën në dispozicion gjatë diskutimit.
Bardhi deklaroi se kishte përgatitur 40 pyetje dhe se do të përdorte kohën që, sipas tij, i nevojitej për t’i bërë ato.
“Kam 40 pyetje dhe do marr kohën time sa të dua unë dhe nuk të pyes as ty dhe as gardën tënde”, tha Bardhi.
Peleshi iu përgjigj se koha në dispozicion ishte vetëm një minutë, duke iu referuar rregullores së Kuvendit.
Pas rënies së gongut që sinjalizonte përfundimin e kohës, Bardhi reagoi ndaj kryetarit të Kuvendit.
“Ka mundësi mos të më provokosh, të lutem”, tha ai.
Peleshi këmbënguli se koha kishte përfunduar, ndërsa Bardhi kundërshtoi duke thënë se “nuk ka kohë në pyetje”.
“Nuk e vendosni ju, e vendos rregullorja”, iu përgjigj Peleshi.
Përplasja vijoi edhe për disa momente, teksa kryetari i Kuvendit tha se mund t’ia tregonte Bardhit dispozitat e rregullores.
“Përfundoni, mikrofoni është hapur. Ua tregoj unë rregulloren, mos e merrni keq”, tha Peleshi.
Bardhi u përgjigj me ironi: “Hej Zot i madh, do tregojë ky, ky i mbaruari”.
Debati ishte pjesë e një seance të tensionuar parlamentare, ku gjatë ditës janë regjistruar përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.






