Taulant Balla ka sulmuar fort Sali Berishën në Kuvend, duke e akuzuar për standard të dyfishtë ndaj SPAK-ut dhe për përpjekje për ta kthyer Parlamentin në një vend ku politika heton dhe gjykon vetveten.

Në nisje të fjalës së tij, Balla korrigjoi edhe një lapsus të Berishës për Andi Lilën.

“Andi Lila është futbollist, nuk është kompozitor. Edhe ti duhet ta dish, se e ke edhe djalë Kavaje. Djalë i shkëlqyer, e keni pasur edhe sekretar në Partinë Demokratike”, tha Balla.

Ai më pas iu referua çështjes së videove intime, duke kritikuar mënyrën se si po përdoret politikisht kjo histori.

Sipas Ballës, vajzat dhe gratë e prekura nga publikimi i materialeve të tilla meritojnë solidaritet dhe jo përdorim politik.

“Besoj që të gjitha gratë e Kuvendit të Shqipërisë duhet të bëjnë një deklaratë ku të solidarizohen me vajzat dhe gratë. Kushdo që është pas publikimit të atyre filmimeve duhet të marrë një dënim të merituar”, tha ai.

Pjesa më e fortë e fjalës së Ballës lidhej me qëndrimin e opozitës ndaj SPAK-ut.

Ai tha se informacionet mbi të cilat opozita kërkon mocion me debat vijnë pikërisht nga një hetim i Prokurorisë së Posaçme dhe akuzoi Berishën se SPAK-un e konsideron të besueshëm vetëm kur hetimet i shërbejnë politikisht.

“Kur ua do interesi juaj politik, ju i referoheni informacioneve të Prokurorisë së Posaçme. Por është momenti që të ndani qëndrimin tuaj. Prokuroria e Posaçme është seksion i Partisë Socialiste, siç tha udhëheqësi juaj tre ditë më parë, apo është një institucion që për ne është suksesi i reformës në drejtësi?”, deklaroi Balla.

Sipas tij, Partia Socialiste e konsideron SPAK-un një nga rezultatet kryesore të reformës në drejtësi, ndërsa Berisha, sipas Ballës, e sulmon kur është vetë objekt hetimi dhe i referohet të njëjtit institucion kur materialet e tij i përdor kundër kundërshtarëve.

“Kur prokurori më heton mua, ai është një, dy, tre. Ndërkohë që këtu, me hipokrizinë më të madhe, vini dhe thoni: bazuar në informacionet e dosjeve, të bëjmë ne hetimin”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist argumentoi se ky është pikërisht modeli që reforma në drejtësi synoi të ndryshonte.

Sipas tij, para vitit 2016 politika akuzonte dhe gjykonte kundërshtarin në sallën e Kuvendit, ndërsa në fund askush nuk mbante përgjegjësi penale.

“Ti je hajdut, ti je klan i Zemunit, ti je kështu, ti je ashtu. Kaq mjaftonte. Ne thamë duhet t’i japim fund këtij teatri dhe të krijojmë një drejtësi të re ku të gjitha akuzat hetohen”, u shpreh Balla.

Ai tha se nuk mund të kërkohet kthimi te modeli i vjetër, ku përgjegjësitë përcaktoheshin përmes debateve politike.

“Ju thoni: ta hetojmë ne dhe të nxjerrim veprimtarinë kriminale. Ne themi: Prokuroria e Posaçme ta hetojë dhe ta nxjerrë veprimtarinë kriminale. Këtu ndahen dy botë”, tha Balla.

Duke iu referuar hetimeve ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Balla deklaroi se qëndrimi i socialistëve është që SPAK-u ta hetojë çështjen deri në fund.

“Ne presim që organi i akuzës ta hetojë dhe ta zbardhë deri në fund. I shprehim mbështetjen tonë Prokurorisë së Posaçme dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet”, tha ai.

Balla këmbënguli se mocionet me debat, komisionet hetimore apo instrumente të tjera parlamentare nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar hetimin penal.

“Koha kur politika gjykonte vetveten ka përfunduar njëherë e përgjithmonë me reformën në drejtësi”, deklaroi ai.

Sipas Ballës, politika duhet të tërhiqet nga përcaktimi i fajësisë apo pafajësisë dhe t’ia lërë këtë rol drejtësisë.

Ai iu drejtua në mënyrë të veçantë Partisë Demokratike, duke kërkuar ndalimin e sulmeve personale ndaj prokurorëve të SPAK-ut.

“Partia Demokratike duhet të heqë dorë nga çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK-ut, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre”, tha Balla.

Në fund ai përsëriti parimin se përgjegjësia penale është individuale dhe se asnjë parti nuk duhet të shndërrohet në mbrojtëse juridike të zyrtarëve të saj.

“Secili të marrë avokatin. Bëni edhe ju si ne, mos e vini partinë avokat”, tha Balla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu