
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë Rusinë pas vdekjes së një punonjësi në një institut kërkimor të murtajës në Siberi, ngjarje që ka ngritur shqetësime për shëndetin publik.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, përpara nisjes drejt Nebraskës, Trump e cilësoi situatën si një “problem të madh për Rusinë”.
“Është një sëmundje e rëndë”, tha Trump, duke shtuar se SHBA do të bëjë çfarë të mundet për të ndihmuar Moskën. “Do t’i ndihmojmë. Kushdo që përballet me një problem të tillë, ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë”, deklaroi presidenti amerikan.
Rasti lidhet me vdekjen e një punonjësi laboratori në një institut kërkimor të murtajës në Siberi. Punonjësi u sëmur dhe më pas humbi jetën në rrethana që deri tani nuk janë bërë plotësisht publike.
Pas ngjarjes, autoritetet vendosën në karantinë dhjetëra persona. Rasti ka shkaktuar shqetësim dhe spekulime në rrjetet sociale për mundësinë e një shpërthimi të sëmundjes.
Autoritetet ruse deklaruan të hënën se situata është nën kontroll. Në materialin e Reuters nuk jepen të dhëna që konfirmojnë një përhapje të murtajës jashtë institutit apo një epidemi.
Deklarata e Trump vjen pavarësisht tensioneve mes Uashingtonit dhe Moskës për luftën e Rusisë në Ukrainë. Presidenti amerikan ka deklaruar se e konsideron Vladimir Putinin një udhëheqës me të cilin mund të punojë.






