
Kundërshtimet ndaj hartës së re territoriale janë zhvendosur këtë të hënë para Kuvendit të Shqipërisë. Banorë nga disa prej bashkive që rrezikojnë të shkrihen kanë protestuar duke u kërkuar deputetëve të mos votojnë ndryshimet e propozuara.
Në protestë kanë marrë pjesë qytetarë nga Fushë-Arrëzi, Memaliaj, Poliçani dhe bashki të tjera që janë përfshirë në diskutimet për reduktimin e numrit të njësive vendore.
Shqetësimi kryesor i protestuesve është se shkrirja e bashkive do t’i largojë shërbimet vendore nga qytetarët dhe do të krijojë më shumë vështirësi për komunitetet që jetojnë larg qendrave të bashkive të reja.
Por kundërshtimi nuk lidhet vetëm me shërbimet. Banorët e konsiderojnë ruajtjen e bashkive edhe si çështje të identitetit të zonave të tyre.
“Memaliaj nuk preket”, “Poliçani nuk shitet me një votë” dhe “Nuk e shesim dot identitetin tonë”, ishin disa prej mesazheve të shkruara në pankartat e protestuesve.
Protesta zhvillohet në një moment kur kundërshtime për hartën e re janë shfaqur edhe brenda mazhorancës. Deputetët socialistë Erion Braçe dhe Vullnet Sina kanë shprehur rezerva ndaj reduktimit të numrit të bashkive, duke ngritur pikërisht shqetësimin për ndikimin që ndryshimet mund të kenë në ofrimin e shërbimeve.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka deklaruar se vendimi politik i grupit është që të gjithë deputetët e PS-së të jenë të pranishëm dhe të votojnë pro projektligjit.






