Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të qartë se për projektligjin e reformës së re territoriale nuk do të ketë votë të lirë brenda grupit socialist.

Sipas Ballës, pasi projektligji të përfundojë shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve dhe të mbërrijë në seancë plenare, vendimi politik i grupit parlamentar është që të gjithë deputetët e PS-së të jenë të pranishëm dhe të votojnë pro.

“Vota pro e PS hyn në vendimmarrjet politike për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezent dhe të votojnë”, deklaroi Balla.

Ai pranoi se brenda grupit mund të ketë deputetë që kanë shqetësime apo kundërshtime për elementë të reformës, duke përmendur edhe rastin e deputetit Paulin Sina. Por, sipas Ballës, diskutimi brenda grupit është një gjë dhe votimi i vendimit politik të grupit një tjetër.

“Një është të kesh diskutimet e tua dhe një është të kesh detyrimin për të votuar vendimmarrjen e grupit parlamentar. Vendimi parlamentar i grupit të PS është që të gjithë deputetët duhet të votojnë pro”, tha ai.

Balla u pyet edhe nëse do të ketë penalitete për deputetët socialistë që mund të vendosin të mos ndjekin vendimin e grupit.

Përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “Lexoni rregulloren e grupit parlamentar.”

Deklarata vjen ndërsa projekti për reformën territoriale po diskutohet në Komisionin e Ligjeve dhe ka shkaktuar debate jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe për çështje konkrete të hartës së re territoriale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu