Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të reja ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ndryshimet ligjore të propozuara së fundmi kanë si qëllim mbrojtjen e tij nga provat që, sipas Berishës, gjenden në telefona dhe komunikime elektronike.

I pyetur se cili është, sipas tij, qëllimi i këtyre ndryshimeve, Berisha përmendi drejtpërdrejt komunikimet e kryeministrit dhe familjarëve të tij.

“Qëllimi është vetëm një: telefonat e Ramës, mesazhet e Edi Ramës, mesazhet e Linda Ramës, mesazhet e Olsi Ramës”, deklaroi ai.

Berisha pretendoi më tej se Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, kanë kuptuar se kryeministri i ka braktisur dhe, sipas tij, “kanë filluar të flasin”.

“Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni dhe i gjithë enturazhi po e kuptojnë që i ka shitur Edi Rama. […] Ky i ka shitur dhe ata kanë filluar të flasin”, tha Berisha.

Kreu demokrat pretendoi gjithashtu se ekzistojnë qindra mesazhe dhe dokumente që lidhen me komunikime mes personave të përmendur prej tij, duke përfshirë Ron Yeffet, Ermal Beqirin dhe Vlora Hysenin. Berisha i cilësoi ata si pjesë të një “grupi të strukturuar kriminal”, por në deklaratën e shpërndarë nga PD nuk paraqiten prova që mbështesin këtë akuzë.

Sipas Berishës, ndryshimet ligjore synojnë pikërisht të zhvlerësojnë përdorimin e këtyre komunikimeve si prova. Ai pretendoi se një përpjekje e ngjashme ishte bërë më parë përmes Gjykatës Kushtetuese dhe e lidhi argumentin e tij edhe me materialet e dosjes “Metamorfoza”.

“Dhe tani do të bëjë ligjin t’i zhvlerësojë me ligj. Kjo është e gjitha”, tha Berisha.

Deklaratat e kreut të PD-së për motivet e ndryshimeve ligjore, për përmbajtjen e komunikimeve dhe pretendimin se personat e përmendur “kanë filluar të flasin” përbëjnë qëndrime dhe akuza të tij dhe nuk shoqërohen në këtë deklaratë me dokumente që t’i provojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu