
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se qëndron pas publikimit të videove intime të disa artistëve, duke pretenduar se materialet janë hedhur në qarkullim për të larguar vëmendjen nga çështjet që opozita po denoncon ndaj qeverisë.
I pyetur se kush mund të fshihet pas publikimit të materialeve, Berisha e paraqiti si fakt pretendimin se ato janë “servirur” nga Rama. Megjithatë, në deklaratën e shpërndarë nga PD-ja nuk paraqiten prova që e lidhin kryeministrin me publikimin apo sigurimin e videove.
Sipas Berishës, publikimi i tyre synon të “zhurmojë” hetimet dhe akuzat politike që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe çështje të tjera që opozita ia atribuon qeverisë.
Kreu i PD-së hodhi më tej dyshime edhe për mënyrën se si mund të jenë siguruar materialet intime.
“Thuhet që ai prej kohësh është marrë […] me hakerimin dhe gjetjen e këtyre lloj videove, se mund t’i duheshin një ditë”, deklaroi Berisha, duke theksuar vetë se kjo çështje kërkon hetim.
Ai kërkoi që organet kompetente të hetojnë edhe këtë pistë.
“Unë bëj thirrje të bëhet një hetim i fortë edhe për këtë mundësi”, tha kreu demokrat.
Deklarata vjen ndërsa publikimi dhe shpërndarja e materialeve intime është tashmë objekt hetimi nga autoritetet. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punon për identifikimin e adresave IP dhe të dhënave të faqeve e profileve që kanë publikuar ose shpërndarë materialet.






