
Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile nga pikëpamja ligjore nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në vendimin e marrë më 2 tetor dhe të firmosur nga kryeministri Albin Kurti, Qeveria vlerëson se “nuk ka pengesa ligjore” për nismën që synon ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të ashtuquajturën Gjykatë Speciale.
Vendimi është marrë pas kërkesës që Kuvendi i Kosovës i kishte drejtuar Qeverisë më 23 shtator 2026.
Sipas dokumentit, vendimi dhe teksti i mendimit të Qeverisë do t’i dërgohen tashmë Kuvendit të Kosovës, duke i hapur rrugë vijimit të procedurës parlamentare.
Nisma për ndryshimin e ligjit të Speciales ka marrë një rëndësi të veçantë në Kosovë në kushtet e debatit të fortë publik rreth Dhomave të Specializuara dhe vendimeve të tyre.
Vetë Kurti kishte deklaruar më herët se zyrat ligjore të ekzekutivit po shqyrtonin nismën dhe se Qeveria do të jepte qëndrimin e saj juridik.
Tashmë përgjigjja zyrtare është dhënë: Qeveria e Kosovës nuk sheh pengesa ligjore që nisma të vazhdojë procedurën në Kuvend.






