
Christa Pike ndodhet në gjendje kritike dhe po merr trajtim për t’i shpëtuar jetën, pasi mbijetoi dy doza të pentobarbitalit gjatë ekzekutimit të dështuar në Tennessee. Avokatët e saj kërkojnë tashmë që dënimi me vdekje të ndryshohet, ndërsa autoritetet kanë pezulluar të gjitha ekzekutimet deri në fund të vitit.
Gjendja e 50-vjeçares Christa Pike mbetet kritike pas ngjarjes së pazakontë në dhomën e ekzekutimit. Avokati i saj, Randy Spivey, tha se ende nuk ka një parashikim të qartë për gjendjen e saj.
“Dimë se është gjallë”, deklaroi ai, duke shtuar se Pike po merr kujdes mjekësor intensiv.
Detaje të reja tregojnë se procedura ishte problematike që në fillim. Sipas avokatëve, ekipit të ekzekutimit iu desh rreth një orë vetëm për të vendosur linjën intravenoze. Spivey tha se kishte numëruar të paktën shtatë shpime me gjilpërë vetëm në krahun e majtë të Pike dhe se një prej gjilpërave dukej e përkulur kur u hoq pas një tentative të pasuksesshme.
Gjatë procedurës, Pike është ankuar për dhimbje të forta në krah.
Situata u bë edhe më e rëndë pasi iu administrua doza e parë e pentobarbitalit. Kur ajo mbeti gjallë, sipas protokollit të Tennessee-t iu dha edhe një dozë e dytë. Por edhe pas saj Pike vazhdonte të merrte frymë.
Dëshmitarët që ndoqën ekzekutimin kanë përshkruar një situatë kaotike. Gazetari Steven Hale tha se Pike nuk dukej sikur po vdiste, por kishte mbetur për një kohë të gjatë në një gjendje të ndërmjetme, shumë më tepër nga sa pritej në një ekzekutim të tillë.
Pas dozës së dytë, perdja që ndante dhomën e ekzekutimit nga dëshmitarët u mbyll. Avokatët thonë se për disa minuta nuk dinin çfarë po ndodhte dhe as kur kishte nisur ndërhyrja e personelit mjekësor.
Pike u transportua më pas me ambulancë në spital.
Ngjarja ka detyruar guvernatorin e Tennessee-t, Bill Lee, të urdhërojë një hetim të pavarur dhe të pezullojë të gjitha ekzekutimet e tjera të planifikuara deri në fund të vitit.
“Ka shumë pyetje. Qytetarët e shtetit tonë meritojnë përgjigje”, deklaroi Lee.
Departamenti i Burgjeve i Tennessee-t, nga ana tjetër, këmbëngul se janë respektuar të gjitha fazat e protokollit ligjor të ekzekutimit dhe se procedura nuk lejonte ndërhyrje të tjera përtej atyre që u kryen.
Avokatët e Pike argumentojnë se ajo iu nënshtrua një vuajtjeje të panevojshme dhe kërkojnë që pas asaj që ndodhi të mos ketë një përpjekje të tretë për ekzekutimin e saj. Ata kërkojnë që dënimi me vdekje t’i ndryshohet.
Christa Pike ishte 18 vjeçe kur kreu krimin për të cilin u dënua. Në vitin 1995, ajo dhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp, torturuan dhe vranë 19-vjeçaren Colleen Slemmer. Pike u dënua me vdekje në vitin 1996.
Shipp mori burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht, pasi në kohën e krimit nuk kishte mbushur ende moshën ligjore për t’u dënuar me vdekje.
Edhe nëna e viktimës, May Martinez, e cila kishte udhëtuar në Tennessee për të parë ekzekutimin, e përshkroi atë që ndodhi me vetëm pak fjalë: “Ishte një rrëmujë.”
Rasti Pike është dështimi i dytë i një ekzekutimi në Tennessee vetëm gjatë vitit 2026. Në maj, ekzekutimi i Tony Carruthers u anulua pasi personeli nuk arriti të gjente një venë për administrimin e substancës vdekjeprurëse.
Tani hetimi duhet të përcaktojë se çfarë shkoi keq dhe nëse Tennessee do të ndryshojë protokollet e ekzekutimit. Ndërkohë, për Christa Pike çështja më urgjente nuk është më ekzekutimi, por nëse organizmi i saj do t’u mbijetojë pasojave të dy dozave të pentobarbitalit.





