Shpërthimi në pikën e karburantit në Sarandë që la dy persona të plagosur ngre pikëpyetje për kushtet e sigurisë në objekt dhe rrethanat në të cilat po kryheshin punimet.

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka deklaruar se pika e karburantit kishte rreth tre muaj jashtë funksionit. Sipas institucionit objekti nuk ishte në aktivitet në momentin kur ndodhi shpërthimi.

Por pikërisht ky fakt shton pikëpyetjet rreth ngjarjes. Nëse karburanti ishte jashtë funksionit prej muajsh mbetet për t’u sqaruar se çfarë punimesh po kryheshin në ambientet e tij dhe nëse ishin marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për personat që ndodheshin aty.

Nga shpërthimi mbetën të plagosur dy persona. Fatmir Pema, 39 vjeç, pësoi djegie në trup ndërsa Florian Bica, 27 vjeç, u dërgua në spital pas tronditjes së shkaktuar nga shpërthimi.

Ngjarja ndodhi në një pikë karburanti në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë dhe shkaktoi panik në zonë. Policia dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje ndërsa nisën hetimet për përcaktimin e shkakut.

Deklarata se objekti ishte jashtë funksionit nuk mbyll pikëpyetjet për ngjarjen. Hetimi duhet të përcaktojë shkakun e shpërthimit dhe nëse gjatë punimeve ishin respektuar standardet e sigurisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu