
Italia ka tërhequr nga tregu konserva açugesh të eksportuara nga Shqipëria, pasi analizat kanë zbuluar nivele të histaminës dyfish mbi kufirin e lejuar.
Sipas njoftimit të publikuar më 22 shtator në sistemin europian RASFF, në mostrat e analizuara u konstatuan 800 mg/kg histaminë, ndërsa kufiri i raportuar si i lejuar është 400 mg/kg.
Açuget fillimisht ishin importuar në Shqipëri, ku janë përpunuar, dhe më pas janë eksportuar drejt Italisë nga kompania “Poseidon”.

Pas rezultateve të analizave, autoritetet italiane kanë vendosur tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.
Prania e lartë e histaminës te peshku mund të shkaktojë helmim ushqimor. Problemi është se histamina nuk eliminohet as nëpërmjet gatimit dhe as gjatë procesit të konservimit.
Ajo krijohet nga zbërthimi bakterial i histidinës, proces që mund të ndodhë kur produkti nuk ruhet në temperaturat e duhura, nën 4 gradë Celsius.
Marrja e sasive të larta të histaminës mund të shkaktojë simptoma si skuqje dhe ënjtje të lëkurës, urtikarie, të përziera, të vjella, diarre, dhimbje barku, dhimbje koke, ndryshime të tensionit, takikardi dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste të rënda, reaksioni mund të jetë kërcënues për jetën.






