Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji pretendon se kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë zhvilluar këtë të diel një takim në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Në një reagim publik, Salianji kërkon transparencë nga dy drejtuesit politikë, duke ngritur një sërë pyetjesh mbi atë që, sipas tij, është diskutuar mes tyre.

“Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport. Çfarë u diskutua? A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede? A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit? A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike?”, shkruan Salianji.

Ish-deputeti i PD-së pretendon se kjo është hera e dytë që Rama dhe Berisha gjenden njëkohësisht në zonën VIP të aeroportit, ndërsa kërkon që të bëhet publike nëse mes tyre ka pasur një bisedë dhe përmbajtja e saj.

“Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale”, deklaron Salianji.

Këtë të diel, Edi Rama ndodhej në Rinas, ku regjistroi një adresim për qytetarët lidhur me çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Në të njëjtën kohë, Sali Berisha mbërriti në sallën VIP të aeroportit përpara udhëtimit të tij drejt Strasburgut.

Në materialin e publikuar nuk paraqitet ndonjë konfirmim nga Rama apo Berisha se mes tyre ka pasur takim apo bisedë. Pretendimi për një takim “kokë më kokë” është ngritur nga Salianji.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu