
Policia e Tiranës ka parandaluar një konflikt mes dhjetëra të miturve në Yzberisht, ndërsa 23 adoleshentë të moshave 13 deri në 17 vjeç janë proceduar penalisht.
Sipas njoftimit të Policisë, Komisariati Nr. 6 mori informacion se një grup të miturish po përgatitej të konfliktohej në rrugën “Besim Alla”. Efektivët shkuan menjëherë në zonën e sinjalizuar për të parandaluar përplasjen.
Në vendngjarje u konstatuan disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, të cilët dyshohet se do të përdoreshin gjatë konfliktit. Ata u shoqëruan në komisariat, ndërsa më pas policia identifikoi dhe shoqëroi edhe të miturit e tjerë që pritej të përfshiheshin.
Pas veprimeve hetimore, të zhvilluara në praninë e prindërve dhe psikologut, materialet iu referuan Prokurorisë. Në gjendje të lirë u proceduan 23 të mitur të moshave 13-17 vjeç.
Policia sekuestroi gjithashtu dy shkopinj bejsbolli.
Policia e Tiranës u bëri thirrje prindërve, familjarëve, miqve dhe mësuesve që të bashkëpunojnë dhe të sinjalizojnë rastet kur konstatojnë, edhe në hapësirën online, indicie për konflikte mes të miturve.






