Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili i është kundërpërgjigjur me ironi Sali Berishës, pasi kreu i PD-së e pyeti sot në Kuvend nëse kishte kaluar nga zyra e Ergys Agasit dhe nëse kjo i kishte shërbyer për t’u bërë deputete.

Disa orë pas debatit, Ismaili publikoi në rrjetet sociale fjalimin e saj në Kuvend dhe shkroi:

“Këtu flas për zyrën e Agasit, ku isha së bashku me Argitën.”

Referenca për Argita Berishën, vajzën e kreut të PD-së, është përdorur në mënyrë ironike nga ministrja për t’iu përgjigjur insinuatës së Berishës.

Përplasja kishte nisur më herët në sallën e Kuvendit, kur Ismaili iu përgjigj akuzave të opozitës për çështjen e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke rikthyer në debat mënyrën se si, sipas saj, funksiononte SHIK-u gjatë qeverisjes së Berishës.

“Nuk harrojnë shqiptarët se nuk ka se si të harrojnë”, deklaroi Ismaili, e cila akuzoi SHIK-un e asaj periudhe se “përndiqte, përgjonte, dhunonte” dhe e përdorte pushtetin si “polici politike”.

Ministrja u ndal veçanërisht te Bashkim Gazidede dhe ngjarjet e vitit 1997, duke e cilësuar ish-kreun e SHIK-ut si drejtues të “operacionit famëkeq të ’97-ës për shtypjen e revoltave popullore”. Ajo përmendi gjithashtu Ilir Kumbaron dhe çështjen Remzi Hoxha, ndërsa i kërkoi Berishës shpjegime për largimin e Gazidedes nga Shqipëria në vitin 1997.

Ismaili ngriti gjithashtu pikëpyetje për Damir Fazliç, duke pyetur Berishën se si biznesmeni serbo-boshnjak kishte marrë pjesë, sipas saj, në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare “me ftesë të posaçme” të tij në kohën kur ishte kryeministër.

Ajo vijoi me akuza për ngjarjet e vitit 1997, duke pretenduar se SHIK-u ishte përdorur për armatosjen e mbështetësve të pushtetit dhe duke përmendur djegien e redaksive dhe dhunën ndaj gazetarëve.

Pas kësaj fjale, Berisha e drejtoi replikën personalisht ndaj Ismailit, pa fakte por me një gjuhë mizogjene, duke e pyetur nëse kishte kaluar nga zyra e Ergys Agasit dhe nëse ajo zyrë i kishte shërbyer “për t’u ngjitur në detyrë si deputete”.

Pikërisht kësaj akuze Ismaili iu rikthye në mbrëmje me postimin ironik: “Këtu flas për zyrën e Agasit, ku isha së bashku me Argitën”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu