
Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme, ku do të përballet me gjyqtarin për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”. Hyseni u transportua me automjet policie dhe shoqërohej nga avokati i saj, Kastriot Selita.
Sipas SPAK, ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit rëndojnë dyshimet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, në kuadër të hetimeve që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.
Një nga elementët kryesorë të hetimit janë 9 faqe me dokumente sekrete të SHISH, të cilat, sipas SPAK, janë gjetur në makinën e Agasit. Prokuroria dyshon se këto materiale i janë vënë në dispozicion biznesmenit nga Hyseni.
Ish-kreu i SHISH është marrë në pyetje nga SPAK edhe më 18 shtator për kontaktet me Agasin. Hyseni ka pretenduar se komunikimet me të zhvilloheshin për shkak se biznesmeni ishte rekrutuar si informator i Shërbimit Informativ.
Sipas Report Tv, në materialet e hetimit ndodhen mbi 500 komunikime mes Hysenit dhe Agasit. Prokuroria dyshon se përmes tyre Agasi merrte informacione, njoftohej për takime sensitive dhe shkëmbente foto e video me ish-drejtuesen e SHISH.
Ndërkohë, GJKKO ka lënë në burg Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në një lokal pranë vilave qeveritare në Durrës. SPAK dyshon se të dy kanë ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai ishte në arrati.
Kalluçi dyshohet se i ka dërguar Agasit tri fotografi të ekspertizës së automjetit të tij “Land Rover Defender”, të sekuestruar gjatë kontrolleve në “Equos Resort”. Ndërsa Sulejmani dyshohet se i dërgonte ushqime Agasit në banesën ku qëndronte i fshehur. Sulejmani ka pretenduar se Agasi ishte klient i tij dhe se ai vetëm i kishte dërguar porositë e kërkuara.
Vlora Hyseni u lirua nga detyra pas vendimit të GJKKO për masën e sigurisë. Hetimet vijojnë dhe të gjithë personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






