Elvis Lila merr përkohësisht drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, pas largimit nga detyra të Vlora Hysenit.

Kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin që i delegon Lilës kompetencat administrative të drejtorit të SHISH-it. Ai është aktualisht drejtor i Departamentit Operativ në Shërbimin Informativ të Shtetit.

“Z. Elvis Lila, drejtor i Departamentit Operativ, t’i delegohen përkohësisht kompetencat administrative të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, përcaktohet në urdhrin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Lëvizja vjen një ditë pas largimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH-it. Ndaj saj, Gjykata e Posaçme ka caktuar masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”.

Hyseni u kthye në Shqipëri mbrëmjen e së martës, pasi masa nuk ishte ekzekutuar më herët për shkak se ajo ndodhej jashtë vendit.

Hetimet ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it zhvillohen në kuadër të një procedimi të SPAK. Ajo dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Elvis Lila do të ushtrojë përkohësisht kompetencat administrative të drejtuesit të SHISH-it, ndërsa pritet procedura për zgjedhjen e kreut të ri të institucionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu