
Debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës kanë shoqëruar diskutimet për reformën territoriale në Komisionin e Ligjeve, duke çuar në largimin e deputetëve të Partisë Demokratike nga mbledhja.
Përplasja nisi pasi demokratët kërkuan që projektligji t’i kthehej kryetarit të Kuvendit dhe më pas nismëtarëve. Sipas opozitës, gjatë procedurës së ndjekur për nismën janë konstatuar shkelje të parashikimeve kushtetuese.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, kërkoi që propozimi për kthimin e projektligjit të hidhej menjëherë në votim. Kërkesa nuk u pranua nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili kërkoi vijimin e shqyrtimit të nismës.
Debati u zhvendos edhe te zhvillimet e fundit në drejtësi. Manja iu referua masës së sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke e cilësuar rastin si dëshmi të funksionimit të shtetit ligjor dhe akuzoi PD-në se po sulmon drejtësinë.
Pas përplasjeve, deputetët demokratë u larguan nga mbledhja, ndërsa Komisioni i Ligjeve vijoi procedurën për shqyrtimin në parim të reformës territoriale.






