Vedat Muriqi pritet të marrë shiritin e kapitenit të Kosovës, pas largimit të Amir Rrahmanit, i cili e mbajti këtë rol për shtatë vite.

Sulmuesi 32-vjeçar është një prej futbollistëve më me përvojë të “Dardanëve” dhe tashmë pritet të marrë përgjegjësinë kryesore në hierarkinë e re të ekipit përfaqësues.

Muriqi është golashënuesi më i mirë në historinë e Kosovës, me 32 gola në 68 paraqitje. Shiriti i kapitenit nuk është i panjohur për të, pasi e ka mbajtur tetë herë më parë në mungesë të Rrahmanit.

Ai debutoi me Kosovën më 9 tetor 2016, në ndeshjen kundër Ukrainës. Me 68 paraqitje, Muriqi renditet gjithashtu ndër futbollistët me më shumë ndeshje me fanellën e Kosovës.

Pas tij në hierarkinë e kapitenëve pritet të jetë Mërgim Vojvoda, i cili numëron 75 paraqitje, ndërsa një tjetër alternativë për shiritin është Milot Rashica, me 64 ndeshje dhe 12 gola.

Ndryshimi vjen në prag të një periudhe intensive për Kosovën, e cila do të zhvillojë katër ndeshje të Ligës së Kombeve brenda dhjetë ditësh.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu