Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me diasporën shqiptare në Michigan

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ku do të marrë pjesë edhe në punimet e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Lajmi kryesor për diasporën ishte njoftimi për hapjen e afërt të një konsullate shqiptare në Michigan, një kërkesë e hershme e komunitetit shqiptar në këtë shtet.

Rama tha se roli i emigracionit shqiptar ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve dhe se Shqipëria nuk është më një vend që mbështetet te dërgesat e diasporës për mbijetesë. Sipas tij, vendi ka hyrë në një fazë të re, ku diaspora shihet si pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillim.

Kryeministri u ndal edhe te procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se Shqipëria do t’i qëndrojë në krah Kosovës, por strategjia për kundërshtimin e vendimit duhet të përcaktohet nga institucionet e Prishtinës.

Sa i përket integrimit europian, Rama deklaroi se Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave dhe synon mbylljen e procesit brenda vitit 2030. Ai përmendi edhe krijimin e Regjistrit Kombëtar të Diasporës, si një platformë të vetme lidhjeje mes shqiptarëve jashtë vendit dhe institucioneve në Shqipëri.

Takimi me komunitetin shqiptar u mbyll në atmosferë festive, me pjesëmarrjen e fëmijëve të shkollës shqipe të veshur me kostume kombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu