Gazment Bardhi gjatë deklaratës për kontrollin parlamentar dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Gazment Bardhi ka akuzuar mazhorancën se po kufizon rolin kontrollues të opozitës në Kuvend dhe se po refuzon zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në fjalën e tij, Bardhi tha se integrimi europian i Shqipërisë nuk mund të mbetet thjesht një slogan politik apo proces teknik, por duhet të shoqërohet me funksionim real të institucioneve, transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria.

Sipas tij, Parlamenti nuk duhet të jetë vetëm institucioni që miraton ligje të përafruara me Bashkimin Europian, por edhe vendi ku kontrollohet zbatimi i tyre dhe ku qeveria jep llogari përpara opozitës dhe qytetarëve.

Bardhi u shpreh se kryeministri ka refuzuar kërkesat e opozitës për interpelanca dhe llogaridhënie, ndërsa shtoi se mazhoranca nuk ka pranuar asnjë nga komisionet hetimore të kërkuara nga pakica parlamentare.

Ai përmendi si shembull kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje, për të cilën, sipas tij, opozita fitoi në Gjykatën Kushtetuese, por vendimi ende nuk është zbatuar nga Kuvendi.

Bardhi tha se Shqipëria nuk bëhet europiane vetëm duke miratuar ligje me emra europianë, por kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europiane, kur opozita ka hapësirë reale kontrolli dhe kur qytetari ndien më shumë shtet ligjor, transparencë dhe përgjegjshmëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu