
SHBA po monitoron “shumë nga afër” praninë në rritje të anijeve kërkimore kineze në Arktik, mes shqetësimeve se aktiviteti i tyre mund të ketë rëndësi edhe për sigurinë ushtarake.
Kundëradmirali Bob Little, komandant i Distriktit Arktik të Rojës Bregdetare amerikane, tha se gjatë vitit 2026 katër anije kërkimore kineze kanë operuar në zonën e Alaskës, Ishujve Aleutianë dhe Ngushticës së Beringut.
Sipas tij, anijet kanë qëndruar në ujëra ku lundrimi i huaj lejohet sipas së drejtës ndërkombëtare, por aktivitetet pranë zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental amerikan po ndiqen me kujdes. Roja Bregdetare amerikane ka deklaruar se kërkimet shkencore detare në këto zona kërkojnë leje paraprake nga SHBA dhe ndarjen e të dhënave të mbledhura.
Uashingtoni po shqyrton nëse misionet lidhen me kërkimin e mineraleve në shtratin e detit apo me mbledhjen e të dhënave që mund të kenë edhe përdorim ushtarak. Kina e përshkruan veten si një shtet “pranë Arktikut” dhe prej vitesh kërkon të zgjerojë praninë ekonomike dhe shkencore në rajon.
Interesi për Arktikun është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa hapja e rrugëve të reja detare dhe rezervat e mëdha të burimeve natyrore e kanë kthyer rajonin në një zonë me rëndësi strategjike për SHBA, Kinën dhe Rusinë.






