
Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë në debatin e hapur për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rikujtuar se vendimi i saj për këtë çështje është përfundimtar dhe duhet të zbatohet nga autoritetet përgjegjëse.
Reagimi vjen pas diskutimeve të ditëve të fundit për mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve dhe ngërçit të krijuar mes institucioneve.
Kushtetuesja i referohet vendimit nr. 15 të datës 17 shkurt 2026, duke theksuar se përmes tij është përcaktuar standardi kushtetues dhe detyrimet që burojnë për institucionet përgjegjëse.
“Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”, thuhet në reagim.
Sipas Gjykatës, arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit duhet të lexohen dhe zbatohen në tërësinë e tyre, ndërsa respektimi i vendimeve të saj lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës dhe sigurinë juridike.
Kushtetuesja bën edhe një sqarim të rëndësishëm lidhur me mënyrën se si ajo vetë përllogarit dhe ekzekuton pagat në administratën e saj.
Sipas saj, fakti që pagesat në administrimin e brendshëm realizohen në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion nuk mund të përdoret për të interpretuar efektet juridike të vendimit të 17 shkurtit dhe as detyrimet që ai krijon për institucionet e tjera.
Reagimi vjen në një moment kur çështja e pagave të magjistratëve ka shkaktuar debat mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama deklaroi më herët se fondi i pagave propozohet nga ekzekutivi dhe miratohet nga Kuvendi, duke përdorur shprehjen “secili institucion në vendin e vet”.
Me deklaratën e fundit, Gjykata Kushtetuese nuk hyn në polemikë politike, por këmbëngul se vendimi nr. 15 dhe detyrimet që burojnë prej tij duhet të zbatohen në përputhje me standardet kushtetuese të përcaktuara prej saj.






