
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj SPAK dhe kryeministrit Edi Rama pas daljes nga Prokuroria e Posaçme.
Duke folur për mediat, Berisha tha se në SPAK “duhej të futeshe me maskë ose me antigaz”, pasi sipas tij dosjet që lidhen me qeverinë dhe kryeministrin “kundërmonin në të katër anët”.
“Ftoj çdo shqiptar të shtrojë pyetjen: a duhej thirrur Edi Rama për 50 dosjet e krimit elektoral?”, u shpreh Berisha, duke iu referuar dosjeve 339 dhe 184.
Lideri i opozitës renditi një seri çështjesh për të cilat, sipas tij, kryeministri duhet të ishte marrë në pyetje nga SPAK. Ai përmendi inceneratorët, portin e Durrësit, projektin e Porto Romanos, rrugët, çështjen Becchetti, AKSHI-n, IPARD-in, sterilizimin, PPP-të në shëndetësi dhe pronat në Surrel.
Sipas Berishës, Prokuroria e Posaçme nuk po ushtron një hetim të pavarur ndaj kryeministrit. Ai e cilësoi SPAK-un “hetuesi private të Edi Ramës”, duke pretenduar se institucioni funksionon si mburojë për qeverinë.
Kreu i PD-së u pyet edhe nëse do të udhëtojë drejt Uashingtonit në dhjetor, për forumin e IDU. Berisha tha se në parim planifikon të marrë pjesë, por vendimi përfundimtar nuk është marrë ende.
I pyetur për takimin e Edi Ramës në Shtetet e Bashkuara dhe protestat e diasporës shqiptare, Berisha tha se ato ishin një reagim i rëndësishëm.
“I falënderoj shumë diasporën guximtare që i tha se ti je personi më i urryer”, u shpreh Berisha.
Burimi origjinal: Partia Demokratike






