
Katër shoqatat që përfaqësojnë gjyqtarë dhe prokurorë kanë reaguar pas miratimit të ndryshimeve ligjore për pagat e magjistratëve, duke paralajmëruar një betejë të re në Gjykatën Kushtetuese.
Reagimi vjen vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama i ftoi drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në një tryezë të përbashkët për një zgjidhje afatgjatë të sistemit të pagave.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare deklarojnë se do t’i drejtohen Kushtetueses duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Sipas shoqatave, procedura e ndjekur nga Kuvendi është shoqëruar me një sërë problemesh kushtetuese. Ato përmendin miratimin e ligjit përtej afatit të përcaktuar, mungesën e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesën e konsultimit efektiv dhe, sipas tyre, një dëgjim vetëm formal të grupeve të interesit.
Shoqatat kundërshtojnë gjithashtu hyrjen e menjëhershme në fuqi të ndryshimeve, duke pretenduar se ligji cenon të drejtat kushtetuese dhe statusin financiar të magjistratëve.
Ato këmbëngulin se përplasja nuk lidhet thjesht me shumën e pagës.
“Kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare”, thuhet në deklaratë, ku magjistratët e lidhin qëndrimin e tyre me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e drejtësisë dhe, sipas tyre, mbrojtjen e shtetit të së drejtës.
Në deklaratën e përbashkët nuk jepet një përgjigje e drejtpërdrejtë për pjesëmarrjen ose jo në tryezën e propozuar nga Rama, por shoqatat bëjnë të qartë se hapi i tyre i menjëhershëm do të jetë Gjykata Kushtetuese.
Përplasja për pagat rikthen kështu përballjen institucionale mes qeverisë, Kuvendit dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, vetëm disa orë pas miratimit të formulës së re.






