Protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vijuar edhe mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kundërshtuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Protestës i janë bashkuar edhe Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, dhe Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit, si dhe Memli Krasniqi.

Në momentin e mbërritjes së tyre, protestuesit kanë brohoritur “UÇK, UÇK”.

Endrit Thaçi deklaroi nga protesta se qytetarët qëndrojnë përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se familjarët vazhdojnë të besojnë në pafajësinë e ish-drejtuesve të saj.

Protesta e mbrëmjes pasoi tubimet e zhvilluara gjatë ditës në Prishtinë. Edhe studentë ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku kërkuan drejtësi për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe brohoritën emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Aktgjykimi i 16 shtatorit dënoi katër ish-drejtuesit e UÇK-së me 81 vite burg në total: Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13 vite. Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e vendimit.

Reagimet në Kosovë kanë vijuar gjatë gjithë së enjtes, ndërsa një pjesë e figurave publike dhe politike kanë kërkuar bashkim institucional pas aktgjykimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu