Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

Berisha e krahasoi qëndrimin e Ramës pas vendimit me atë të Ponc Pilatit, duke pretenduar se kryeministri po përpiqet të distancohet nga një proces për të cilin kreu demokrat e konsideron politikisht përgjegjës.

“A nuk ju duk se ky lau duart si Ponc Pilati?”, deklaroi Berisha, duke kritikuar reagimin e Ramës pas shpalljes së vendimit.

Kreu i PD-së riktheu akuzën e tij se Rama, me qëndrimet e mbajtura ndër vite për Gjykatën Speciale, “i futi thikën pas shpine Kosovës”.

Berisha iu referua edhe një takimi në Uashington në prani të presidentit amerikan Donald Trump, ku, sipas tij, Rama kishte folur për Hagën edhe pse kjo çështje nuk kishte lidhje me aktivitetin.

“Ky, paragrafë të tërë për Hagën, që s’kishte asnjë lidhje. Ishte një përpjekje e tij për të shpëlarë krimin e shëmtuar që ka kryer ndaj Kosovës”, tha Berisha.

Ai pretendoi gjithashtu se Rama, përmes qëndrimeve të tij, “bëri punën e Vuçiçit”.

Megjithatë, Berisha tha se do të presë të lexojë të plotë vendimin e Gjykatës Speciale përpara se të japë një qëndrim përfundimtar mbi përmbajtjen e tij.

“Do pres të lexoj vendimin e plotë, se atëherë mund të jap një mendim më përfundimtar”, deklaroi kreu i PD-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu