Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur një draft-deklaratë të fortë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në dokument, Kuvendi shpreh “indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë” me vendimin, të cilin e konsideron “thellësisht të padrejtë” ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Drafti rithekson qëndrimin se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe se një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë apo të zhbëjë karakterin çlirimtar të saj.

“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën”, thuhet në dokument.

 

Një prej pikave më të forta të draftit është deklarimi i bindjes së Kuvendit në pafajësinë e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

“E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, thuhet në draft.

Kuvendi shpreh gjithashtu shqetësim për atë që e cilëson si standard të dyfishtë në trajtimin e së kaluarës së rajonit dhe kundërshton çdo përpjekje të Serbisë dhe Rusisë për ta përdorur politikisht procesin në Hagë për të relativizuar krimet e regjimit të Slobodan Miloševićit apo për të delegjitimuar luftën dhe shtetësinë e Kosovës.

“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit”, theksohet më tej, ndërsa kërkohet që të ndiqen deri në fund të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e tjera të procesit.

Draft-deklarata parashikon gjithashtu angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të denoncuar në forumet ndërkombëtare krimet e regjimit serb në Kosovë dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat.

Në fund, dokumenti kërkon koordinim të drejtpërdrejtë mes Tiranës dhe Prishtinës. Kuvendi angazhohet të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës dhe u bën thirrje qeverive të dy vendeve të bashkëpunojnë “me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu