Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e cilësuar aktgjykimin një “dështim të drejtësisë” dhe duke konfirmuar se mbrojtja do ta apelojë.

“Ishim dëshmitarë të një dështimi të drejtësisë”, deklaroi Prosper, sipas të cilit gjykata “e ka rishkruar historinë”. Ai argumentoi se dëshmitarët e paraqitur gjatë procesit kishin dëshmuar, sipas mbrojtjes, se Thaçi nuk kishte përgjegjësinë që i atribuohet në vendim.

“Kjo luftë do të vazhdojë. Ne do të apelojmë. Por kjo është ditë e zezë për drejtësinë ndërkombëtare. Është edhe fundi i drejtësisë penale ndërkombëtare”, tha avokati.

Prosper kërkoi që NATO dhe Departamenti amerikan i Shtetit ta shqyrtojnë nga afër aktgjykimin dhe ngriti pikëpyetje mbi pasojat që, sipas tij, interpretimi i gjykatës mund të ketë për mënyrën se si shihet bashkëpunimi i NATO-s me UÇK-në gjatë luftës.

Avokati reagoi veçanërisht edhe ndaj formulimit të gjykatës se vendimi jepej “në emër të popullit të Kosovës”.

“Kam goditur kokën time me grushte kur gjykatësi shqiptoi ‘në emër të popullit të Kosovës’”, tha Prosper, duke sugjeruar që Kuvendi i Kosovës të rishikojë mbështetjen për Dhomat e Specializuara.

Ai tha se kishte biseduar me Thaçin pas vendimit dhe se ish-presidenti e vlerëson mbështetjen që po merr.

“Është i përgatitur që të luftojë për veten dhe Kosovën. Beteja dhe lufta vijojnë”, përfundoi Prosper.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu