Céline Dion ka realizuar rikthimin e shumëpritur në skenë. Ylli kanadez dha mbrëmjen e së shtunës, 12 shtator, në Paris koncertin e saj të parë të plotë pas më shumë se gjashtë vitesh, duke shpërthyer në lot që në këngën hapëse.

58-vjeçarja u shfaq përpara rreth 30 mijë fansave në Plenitude Arena, në Nanterre, duke e nisur koncertin me hitin në frëngjisht “On Ne Change Pas”. Emocionet e pushtuan vetëm pak sekonda pasi nisi të këndonte dhe për një moment Dion ndaloi, ndërsa publiku e ndihmoi të vazhdonte këngën.

“Premtova se nuk do të qaja, por këta janë lot gëzimi”, u tha ajo fansave. Dion kujtoi rrugëtimin e vështirë që e mbajti larg skenës dhe shtoi se kishte bërë një premtim për t’u rikthyer. “Jam këtu, duke kënduar për ju, duke kënduar për veten, duke kënduar jetën”, ishte mesazhi i saj.

Koncerti shënon një moment të jashtëzakonshëm për këngëtaren, e cila në vitin 2022 zbuloi se ishte diagnostikuar me Stiff Person Syndrome, një çrregullim të rrallë neurologjik që shkakton ngurtësi muskulore dhe spazma dhe që e detyroi të anulonte turnetë. Koncertin e fundit të plotë ajo e kishte dhënë në mars të vitit 2020.

Edhe pse Dion ishte rikthyer për një performancë spektakolare në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, ku këndoi nga Kulla Eiffel, mbrëmja e 12 shtatorit ishte koncerti i saj i parë i plotë që prej sëmundjes.

Gjatë mbrëmjes ajo interpretoi disa prej këngëve që kanë shënuar karrierën e saj, mes tyre “The Power of Love”, “Because You Loved Me”, “All By Myself” dhe “My Heart Will Go On”.

Rikthimi ka shkaktuar një valë të vërtetë entuziazmi mes fansave të saj. Seria e koncerteve parashikon 16 shfaqje këtë vjeshtë dhe 10 të tjera në maj 2027, duke shënuar rikthimin e madh të Céline Dion në skenën muzikore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu