
Sandra Bullock ka zbuluar se mezi e kujton natën kur fitoi Oscar-in e saj të parë, pavarësisht se ishte një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj.
Aktorja tregoi në emisionin “Live with Kelly and Mark” se gjatë ceremonisë së Academy Awards të vitit 2010, kur fitoi çmimin si Aktorja më e Mirë për interpretimin në filmin “The Blind Side”, mendjen e kishte kryesisht te djali i saj, Louis.
Në atë periudhë, Bullock po kujdesej në fshehtësi për Louis dhe ende nuk e kishte bërë publike ardhjen e tij në jetën e saj dhe procesin e adoptimit.
Për këtë arsye, edhe ndërsa po përjetonte kulmin e karrierës në Hollywood, aktorja ishte e përqendruar te një gjë shumë më personale: të përfundonte mbrëmja dhe të kthehej sa më shpejt në shtëpi te djali.
Bullock e mbajti për muaj të tërë larg vëmendjes së publikut adoptimin e Louis, përpara se lajmin ta bënte publik në prill të vitit 2010.
Aktorja fitoi Oscar-in për rolin e Leigh Anne Tuohy në “The Blind Side”, por vite më vonë kujtimi që i ka mbetur nga ajo natë nuk lidhet aq me statujën e artë, sa me faktin se në shtëpi e priste djali që ende askush nuk e dinte se ishte bërë pjesë e jetës së saj.






