
Mijëra qytetarë u mblodhën këtë të shtunë në Prishtinë në “Marshin për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Marshi, i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, nisi në orën 14:00 dhe përshkoi sheshet kryesore të kryeqytetit të Kosovës. Në të morën pjesë qytetarë nga zona të ndryshme të Kosovës, familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, veteranë, përfaqësues politikë dhe figura publike.
Në qendër të tubimit ishte kërkesa për lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë dhe përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë fjalimeve, organizatorët dhe përfaqësuesit politikë theksuan se lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe kërkuan një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se Kosova “kujton, nderon dhe mbron UÇK-në”, ndërsa Hysni Gucati, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, tha se pjesëmarrësit ishin mbledhur për të mbrojtur “të vërtetën e një populli për liri”.
Në marsh morën pjesë gjithashtu Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Mbështetje për ish-krerët e UÇK-së shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shkroi se “farsa është në ditët e fundit” dhe shprehu bindjen se Hashim Thaçi do të triumfojë me “forcën e të vërtetës së tij”.
Pas përfundimit të marshit, Qeveria e Kosovës falënderoi organizatorët dhe qytetarët për pjesëmarrjen dhe sjelljen paqësore, duke theksuar se tubimi u zhvillua pa incidente dhe në bashkëpunim me organet e rendit.
Marshi u zhvillua vetëm pak ditë para vendimit të Gjykatës Speciale, i cili sipas Telegrafit pritet më 16 shtator.






