Ndryshimet klimatike nuk janë faktori i vetëm që po përshpejton shkrirjen e akullit në malin Everest. Një studim ndërkombëtar ngre alarmin për një burim shumë më të pazakontë nxehtësie: aktivitetin njerëzor në kampin bazë, përfshirë edhe urinën e mijëra alpinistëve dhe guidave.

Sipas studimit të cituar nga “The New York Times” dhe të publikuar në revistën “Regional Environmental Change”, nxehtësia e prodhuar nga aktivitetet në kampin bazë të Everestit ka kontribuar në humbjen e rreth 154 tonëve akull në akullnajën Khumbu.

Gjatë sezonit 50-ditor të alpinizmit në pranverën e vitit 2023, rreth 1.600 tenda në kampin bazë përdorën 824 bombola gazi, 18.935 litra vajguri dhe 5.130 litra benzinë për gatim, ngrohje dhe prodhim energjie elektrike.

Studiuesit kanë llogaritur se, duke përfshirë edhe nxehtësinë e çliruar nga urina e alpinistëve dhe personelit, energjia totale e prodhuar arrinte në rreth 849 mijë megaxhaul.

Problemi bëhet edhe më i dukshëm për shkak të numrit të madh të njerëzve që qëndrojnë në Everest. Kampi bazë në anën nepaleze, në një lartësi prej 5.364 metrash, mund të strehojë njëkohësisht rreth 2 mijë persona.

Për shkak se në lartësi të mëdha alpinistët duhet të konsumojnë shumë ujë për të shmangur dehidratimin, ata dhe guidat prodhojnë mbi 6 mijë litra urinë në ditë. Një pjesë e madhe e saj, sipas materialit, derdhet drejtpërdrejt mbi sipërfaqen e akullnajës.

Analiza e të dhënave satelitore për periudhën 1991-2023 tregon gjithashtu se temperaturat sipërfaqësore në zonën e kampit bazë janë rritur mesatarisht me 0,28 gradë Celsius në vit.

Studimi evidenton se ritmi i humbjes së akullit në akullnajat e Everestit është pothuajse dyfishuar që prej vitit 2009.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu