Shqipëria nuk është një nga dy vendet që kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, kishte parasysh kur paralajmëroi për veprimtari hibride që synojnë destabilizimin e vendit të tij.

Sqarimi vjen nga televizioni publik malazez, RTCG, i cili, duke iu referuar burimeve në nivelet më të larta të ekzekutivit, raporton se pretendimi për përfshirjen e Shqipërisë është i pavërtetë.

Sipas RTCG-së, kryeministri Edi Rama kërkoi shpjegime drejtpërdrejt nga Qeveria e Malit të Zi, pasi mediat në Podgoricë publikuan pretendimin se Tirana mund të ishte e përfshirë në skenarin e denoncuar nga Spajiç. Nga Podgorica, Ramës i është komunikuar se Shqipëria nuk ishte një nga vendet për të cilat fliste kryeministri malazez.

Polemika nisi pasi gazeta “Vijesti”, duke cituar katër burime anonime, raportoi se Spajiç kishte parasysh Shqipërinë dhe Serbinë. Vetë kryeministri malazez nuk përmendi publikisht asnjë shtet.

Një version tjetër u publikua nga gazeta “Dan”, sipas së cilës dy vendet e dyshuara ishin Serbia dhe Kroacia. Raportimet kundërshtuese kanë shtuar presionin ndaj Spajiçit për të bërë publik informacionin dhe për të sqaruar se ndaj kujt drejtoheshin akuzat.

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues kundër Malit të Zi.

Ai theksoi se Mali i Zi është vend fqinj dhe mik, aleat i Shqipërisë në NATO dhe partner në procesin e integrimit europian. Hoxha kërkoi që interpretimet mediatike të trajtohen me maturi, pasi ndaj Tiranës nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare.

Spajiç deklaroi më herët se shërbimet disponojnë “informacione serioze operative të sigurisë” për veprime të koordinuara hibride, në të cilat dyshohet se janë përfshirë zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit. Sipas tij, synimi është destabilizimi i Malit të Zi dhe pengimi i përparimit të vendit drejt Bashkimit Europian.

Megjithatë, deri në një sqarim zyrtar nga vetë Spajiç, identiteti i dy shteteve mbetet i panjohur. Përfshirja e Shqipërisë rezulton vetëm një pretendim mediatik, tashmë i kundërshtuar nga burime të Qeverisë malazeze.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu