Serbia po përgatitet t’i japë nderime shtetërore dhe ushtarake Ratko Mlladiçit, kriminelit të luftës të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Nisma për të nderuar zyrtarisht ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës përbën një tjetër akt skandaloz të glorifikimit institucional të kriminelëve të luftës dhe dëshmon se Beogradi vijon të mos përballet me të kaluarën e tij.

Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, deklaroi se Mlladiçi do të marrë të gjitha nderimet shtetërore dhe ushtarake që, sipas tij, “i takojnë”. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se autoritetet do të respektojnë kërkesën e familjes për vendin dhe organizimin e varrimit.

Por Mlladiçi nuk ishte një komandant i zakonshëm ushtarak. Ai u dënua për gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u ekzekutuan rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Ai mbante përgjegjësi gjithashtu për rrethimin afro katërvjeçar të Sarajevës, gjatë të cilit u vranë më shumë se 10 mijë civilë.

T’i jepen nderime shtetërore një personi të dënuar për këto krime do të thotë që Serbia të vendosë autoritetin e saj zyrtar në shërbim të glorifikimit të gjenocidit. Një ceremoni e tillë nuk do të ishte thjesht varrim, por mesazh politik dhe fyerje e hapur ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Deputetja britanike Alicia Kearns akuzoi Vuçiqin dhe Qeverinë serbe se mohojnë gjenocidin e Srebrenicës dhe tani kërkojnë të varrosin me nderime të plota njeriun që dha urdhrat për krimet.

“Në Serbi kriminelët e luftës vazhdojnë të glorifikohen”, reagoi ministri në detyrë i Kosovës, Andin Hoti, duke e cilësuar të papranueshme që në zemër të Europës një shtet të vijojë të nderojë persona të dënuar për gjenocid.

Kritika të ashpra erdhën edhe nga Gjermania dhe Bosnjë-Hercegovina. Deputetja gjermane Jasmina Hostert kujtoi se pas numrit të viktimave qëndrojnë jetë njerëzore të ndërprera nga urdhrat e Mlladiçit, i cili nuk shfaqi pendesë dhe mohoi fajësinë deri në fund.

Familjarët e viktimave të Srebrenicës e cilësuan trashëgiminë e tij të turpshme. Kada Hotiq, e cila humbi djalin dhe bashkëshortin në gjenocid, tha se drejtësia ishte që Mlladiçi të vdiste në burg duke vuajtur dënimin e përjetshëm.

Edhe brenda Serbisë, organizatat proeuropiane dhe disa parti opozitare kanë kundërshtuar nderimet. Lëvizja Evropiane në Serbi e cilësoi ceremoninë e paralajmëruar si “glorifikim institucional” të një personi të dënuar për gjenocid.

Ndërkohë, politikanë serbë në Republikën Srpska, përfshirë Milorad Dodikun, vijojnë ta lavdërojnë Mlladiçin dhe të sulmojnë vendimet e drejtësisë ndërkombëtare.

Vdekja e Ratko Mlladiçit mbylli jetën e një krimineli lufte, por paralajmërimi për nderime shtetërore tregon se ideologjia që prodhoi Srebrenicën vijon të glorifikohet nga struktura politike në Serbi. Historia e ka dhënë vendimin e saj: as uniformat, as kurorat dhe as ceremonitë shtetërore nuk mund ta pastrojnë emrin e një të dënuari për gjenocid.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu