
Bilanci i përmbytjeve katastrofike në Nepal është rënduar ndjeshëm, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vendi mund të goditet nga një valë e dytë.
Policia nepaleze ka konfirmuar të paktën 359 viktima, ndërsa më shumë se 900 persona rezultojnë të zhdukur. Mes tyre janë qindra turistë të huaj, ushtarakë dhe efektivë policie.
Në Tibet janë konfirmuar të paktën tre viktima dhe 558 të zhdukur, por autoritetet nuk kanë sqaruar nëse këto shifra mbivendosen me të dhënat e raportuara nga Nepali.
Shërbimi Gjeologjik Amerikan ka përcaktuar se katastrofa u shkaktua nga shembja e një akullnaje dhe rrjedha masive e baltës dhe shkëmbinjve, jo nga një tërmet, siç u dyshua fillimisht.
Ndërkohë, një tjetër rrezik po kërcënon zonën. Mbetjet kanë bllokuar rrjedhën e një lumi pranë kufirit Nepal–Kinë, duke krijuar një liqen të ri, niveli i të cilit po rritet vazhdimisht.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse diga natyrore çahet, një valë e re uji, balte dhe gurësh mund të godasë vendbanimet dhe ekipet e shpëtimit. Reshjet e vazhdueshme mund ta shkaktojnë çarjen brenda tri ditëve të ardhshme.
Mbi 9 mijë pjesëtarë të policisë, ushtrisë dhe forcave të armatosura janë angazhuar në kërkimin e të mbijetuarve. Operacionet po zhvillohen me helikopterë, qen kërkimi dhe mjete të rënda në zonat e mbuluara nga balta.
UNICEF njoftoi se më shumë se 17 mijë fëmijë kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, ndërsa të mbijetuarit përballen me rrezikun e sëmundjeve, kequshqyerjes dhe mungesës së strehimit.
Burimi: BBC News






