
SPAK ka zbardhur akuzat ndaj Ergys Agasit, i arrestuar në zonën e Plepave, në hyrjen jugore të Durrësit, pas disa muajsh në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, kapja e tij erdhi pas disa javësh hetime dhe koordinimi mes SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturave operacionale të Policisë së Shtetit.
Agasi po hetohet për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe korrupsion aktiv të funksionarëve publikë. Disa prej veprave dyshohet se janë kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Emri i tij ishte regjistruar në procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, ndërsa më 15 dhjetor Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën “arrest në burg”.
Në automjet me Agasin ndodhej edhe ish-punonjësi i Policisë, Ulian Shpataraku. Ai u arrestua në flagrancë nën akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.
Hetimet për dosjen vijojnë, ndërsa akuzat mbeten për t’u provuar gjatë procesit gjyqësor.






