
Çdo 26 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Qenve, një nismë që feston të gjitha racat, por njëkohësisht përcjell një apel të fortë për adoptimin dhe mbrojtjen e qenve të braktisur.
Dita u krijua në vitin 2004 nga Colleen Paige, eksperte amerikane e sjelljes së kafshëve, trajnere qensh dhe aktiviste. Ajo zgjodhi 26 gushtin sepse në këtë datë, kur ishte 10 vjeçe, familja e saj adoptoi nga një strehë qenin e parë, të racës Sheltie.
Nisma synon të ndërgjegjësojë publikun për numrin e madh të qenve që presin të shpëtohen dhe të gjejnë një familje. Ajo kundërshton keqtrajtimin dhe diskriminimin e kafshëve vetëm për shkak të racës.
Në këtë ditë nderohen gjithashtu qentë që punojnë përkrah njerëzve: ata të Policisë dhe ushtrisë, qentë udhërrëfyes, të terapisë dhe ekipet e kërkim-shpëtimit.
Qytetarët mund të kontribuojnë duke adoptuar, dhuruar ushqime ose fonde, punuar vullnetarisht në strehëza apo duke ofruar kujdes të përkohshëm për një qen të pastrehë.



