
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar pagën e re referuese për gjyqtarët, pas mosveprimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas vendimit, nga 1 gushti paga bazë referuese e një gjyqtari do të jetë 222 mijë lekë, së cilës i shtohen 14 mijë lekë për kualifikimin, duke e çuar totalin në rreth 236 mijë lekë.
KLGJ miratoi gjithashtu kompensimin e rritjes së munguar për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Vendimi shkaktoi reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi të paprecedentë faktin që sistemi gjyqësor përcaktoi vetë pagat e tij.
Sipas Bardhit, KLGJ ka marrë kompetenca që i përkasin ligjvënësit, ndërsa vendimi ngre pikëpyetje serioze për kushtetutshmërinë dhe bazën ligjore.
Ai kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën për krijimin e një ngërçi institucional dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.






