
Një zjarr me përmasa të mëdha ka shpërthyer pasditen e sotme pranë Hotel Turizmit në Sarandë, duke rrezikuar disa ndërtesa në zonë.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, në operacion është angazhuar edhe një helikopter “Cougar”, i cili po ndërhyn nga ajri për vënien nën kontroll të vatrës.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre drejt objekteve përreth. Ndërhyrja nga ajri po zhvillohet në mbështetje të efektivëve të angazhuar në tokë.
Zjarri është raportuar vetëm pak minuta përpara nisjes së operacionit, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e tij dhe sipërfaqja e prekur.
Deri tani nuk ka njoftime për persona të lënduar apo dëme të konfirmuara në ndërtesa. Autoritetet pritet të japin informacione të tjera për ecurinë e operacionit dhe pasojat e zjarrit.






