
Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur dhe një grua 79-vjeçare, janë riatdhesuar nga Siria. Ata mbërritën në aeroportin e Rinasit rreth orës 01:20.
Në pritjen e tyre ishin ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në operacion.
Mes të riatdhesuarve është H. T., 79 vjeçe, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pasi djali i saj, i larguar për t’iu bashkuar ISIS-it, kishte humbur jetën. E moshuara synonte të merrte dhe të kujdesej për nipërit e saj.
Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, ajo kishte mbetur në kampin Al-Hol, ku kujdesej edhe për dy fëmijë jetimë.
Lamallari falënderoi institucionet e përfshira dhe deklaroi se puna do të vijojë për kthimin e të gjithë shqiptarëve që ndodhen ende në Siri. Të riatdhesuarit do t’u nënshtrohen procedurave ligjore, të sigurisë dhe programeve të riintegrimit






