Pas konfirmimit të rastit të parë me Virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri për vitin 2026, Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë detaje për mënyrën e transmetimit, simptomat dhe personat më të rrezikuar.

Rasti është identifikuar gjatë muajit gusht në qarkun e Korçës. Epidemiologia e ISHP-së, Adela Vasili, tha se dyshohet që personi është infektuar nga pickimi i një mushkonje.

“Është menduar se rasti është marrë nga pickimi i ndonjë mushkonje”, deklaroi Vasili, duke shtuar se llojet e mushkonjave që mund ta transmetojnë virusin gjenden edhe në Shqipëri.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Epidemiologia sqaroi se infeksioni nuk transmetohet nga një person te tjetri, ndaj i prekuri nuk përbën rrezik të drejtpërdrejtë për personat që e rrethojnë.

Sipas studimeve të zhvilluara nga Instituti i Shëndetit Publik, zonat bregdetare konsiderohen më të ekspozuara për shkak të pranisë më të madhe të mushkonjave që mund të bartin virusin.

“Instituti ka kryer një studim të zonave ku ka risk. Janë zonat bregdetare për praninë e kësaj mushkonje”, tha Vasili.

Në shumicën e rasteve, shenjat e infeksionit janë të ngjashme me ato të një gripi të lehtë. Megjithatë, rreziku për komplikacione është më i lartë te personat mbi 60 vjeç, ata me imunitet të dobësuar, personat që kanë kryer transplant ose ndërhyrje të rënda mjekësore.

“Jo çdo person që mund të pickohet nga mushkonja dhe jo çdo mushkonjë mund ta shkaktojë virusin”, sqaroi epidemiologia.

Për të ulur mundësinë e infektimit, qytetarët këshillohen të shmangin pickimet e mushkonjave, të përdorin mjete mbrojtëse, të vendosin rrjeta në dritare dhe të mos lënë ujë të ndenjur në oborre, vazo apo enë të hapura, ku insektet mund të shumohen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu