Kryeministri Edi Rama e cilësoi protestën qytetare si një sfidë reale për qeverinë, duke pranuar se mesazhi i saj ishte i qartë: qytetarët kërkojnë më shumë dhe nuk u mjaftojnë arritjet e deritanishme.

Pas mbledhjes së Partisë Socialiste në Pogradec, Rama tha se ajo që ndodhi ishte një “dhuratë” për qeverinë, pasi i dha mundësinë të kuptojë më mirë çfarë duhet të përmirësojë.

“Ajo protestë që ndodhi na sfidoi realisht. Flas për atë protestë për sa kohë ishte qytetare dhe për sa kohë iu bashkuan njerëz të cilët i çoi aty nevoja për të bashkuar zërin dhe për të thënë: ‘Ne meritojmë më shumë. Nuk na mjaftojnë ato që janë bërë dhe nuk na mjaftojnë krahasimet me të shkuarën’”, deklaroi Rama.

Kryeministri pranoi se zhvillimet e kësaj periudhe kanë cenuar raportin e qytetarëve me qeverinë dhe shtetin. Megjithatë, ai u shpreh i bindur se nga kjo situatë do të dalin më të fortë si qytetarët shqiptarë, ashtu edhe qeveria.

“Jam i bindur se nga e gjithë kjo vorbull, ata që do të dalin më të fortë do të jenë qytetarët shqiptarë dhe qeveria e tyre, sepse qeverisja do të përmirësohet”, tha ai.

Rama bëri një ndarje mes protestës fillestare qytetare dhe asaj që vijoi më pas. Sipas tij, vazhdimi i protestës është shndërruar në një “konglomerat”, i cili mbahet në këmbë nga interesa dhe financime të caktuara.

Ai shtoi se qeverisë i ka munguar prej kohësh një opozitë politike e aftë për ta sfiduar realisht, ndërsa zëri i qytetarëve arriti ta bënte këtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu