Kryeministri Edi Rama ka përfunduar takimin e gjatë me ministrat dhe drejtuesit e institucioneve në Pogradec, ku për më shumë se shtatë orë u analizua puna e qeverisë dhe u përcaktuan prioritetet për vitin e dytë të mandatit të katërt.

Mbledhja nisi rreth orës 11:00 dhe përfundoi pas orës 18:00. Çdo ministër kishte në dispozicion 15 minuta, nga të cilat 10 për prezantimin e punës dhe objektivave dhe pesë minuta për diskutime.

Pas takimit, Rama pranoi se protestat qytetare të zhvilluara gjatë verës e kanë sfiduar realisht qeverinë dhe kanë nxitur një proces reflektimi mbi marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe qytetarëve.

“Protesta na ka sfiduar realisht, sepse nuk kemi pasur opozitë reale që të na sfidojë”, deklaroi kryeministri, duke iu referuar reagimit qytetar kundër investimit të parashikuar në Zvërnec.

Sipas tij, qeveria ka punuar intensivisht për të konsoliduar një mënyrë të re komunikimi me qytetarët dhe një qasje të re të Partisë Socialiste në territor.

“Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”

Në qendër të mbledhjes ishin dokumentet strategjike “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe platforma “Pasqyrë Albania”, e prezantuar nga Rama një ditë më parë gjatë takimit me drejtuesit politikë të PS-së.

Kryeministri tha se “Besa” do të jetë koncepti mbi të cilin do të ndërtohet raporti i ri ndërmjet shtetit dhe qytetarit. Emërtimi do të përdoret edhe si akronim për një dokument strategjik të qeverisë.

“Prania Besnike” lidhet me qasjen e re që Partia Socialiste synon të zbatojë në territor, duke kërkuar më shumë komunikim, përgjegjësi dhe rezultate konkrete nga strukturat politike dhe institucionet vendore.

Ndërsa “Pasqyrë Albania” do të shërbejë si një platformë për informimin e qytetarëve, raportimin e problemeve dhe ndjekjen e mënyrës se si institucionet i trajtojnë ato.

Platforma parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave. “Flamingo Albania”, e frymëzuar nga protestat e zhvilluara kundër qeverisë, do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve. “Radar” do të gjurmojë në kohë reale rrugën që ndjek një ankesë deri në trajtimin ose zgjidhjen e saj.

Objektivi i deklaruar është që problematikat e paraqitura të marrin përgjigje dhe, kur është e mundur, zgjidhje brenda dy javësh. Për këtë do të kërkohet koordinim ndërmjet ministrive, bashkive, drejtorive të përgjithshme dhe institucioneve të tjera.

Rama tha se platforma nuk duhet të funksionojë vetëm si një postë ku qytetari dërgon një kërkesë, por edhe si një kanal përmes të cilit qeveria informon publikun në kohë reale.

Strehimi, programi kryesor i vitit të dytë

Një nga prioritetet kryesore të qeverisë për periudhën në vazhdim do të jetë programi i strehimit. Rama e cilësoi atë si një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme dhe më të spikatura të vitit të dytë të mandatit.

Kreu i qeverisë nuk bëri publike hollësi konkrete për mënyrën e funksionimit, kategoritë përfituese apo fondet që do të vihen në dispozicion, por paralajmëroi se programi do të prezantohet në vijim.

Në mbledhje u diskutua gjithashtu për një seri programesh që prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shërbimeve publike.

“Shqipëria Sociale” dhe transparenca e çmimeve

Rama njoftoi edhe synimin për ndërtimin e asaj që e quajti “Shqipëria Sociale”, një zinxhir politikash që do të përqendrohet te shëndetësia, arsimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës.

Sipas kryeministrit, sfida e sotme e qytetarëve nuk është më vetëm mbijetesa, por cilësia e jetesës dhe standardi i shërbimeve që marrin nga shteti.

Pjesë e kësaj pakete do të jetë edhe një plan për rritjen e transparencës së çmimeve të ushqimeve bazë. Rama sqaroi se Shqipëria funksionon në një ekonomi tregu dhe shteti nuk përcakton çmimet, por mund t’u japë qytetarëve më shumë informacion për të krahasuar kostot.

Plani do të prezantohet pasi të jetë konsoliduar, ndërsa nuk u dhanë detaje nëse ai do të realizohet përmes një platforme elektronike, publikimit periodik të çmimeve apo mekanizmave të tjerë.

Prioritetet e Ministrisë së Brendshme

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se gjatë mbledhjes prezantoi punën e kryer në muajt e fundit dhe prioritetet e dikasterit që drejton.

Sipas tij, objektivat kryesore do të jenë rritja e sigurisë publike, modernizimi i Policisë së Shtetit, lufta kundër paligjshmërisë dhe përmirësimi i standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.

Lamallari e cilësoi dokumentin “Besa” si një udhërrëfyes për ndërtimin e një marrëdhënieje të re ndërmjet shtetit dhe qytetarëve, të lidhur edhe me objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Ministri Ervin Demo deklaroi ndërkohë se çdo politikë dhe çdo institucion duhet të ketë si matës të vetëm shërbimin ndaj qytetarëve. Ai kërkoi më shumë përgjegjësi në territor dhe rezultate konkrete nga administrata.

“Diella” në mbledhjen e kabinetit

Pjesë e komunikimit publik rreth mbledhjes ishte edhe ministrja virtuale “Diella”. Përpara nisjes së takimit, Rama publikoi një video ku bashkëbisedonte me të dhe e pyeste për ministren Mirela Kumbaro.

Në përgjigje, “Diella” e identifikoi Kumbaron si ministre të Arsimit dhe vlerësoi përvojën e saj në shërbimin publik, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet ministrive.

Kjo sekuencë u përdor për të promovuar përfshirjen e inteligjencës artificiale në komunikimin dhe organizimin e punës së qeverisë.

Ministrat largohen me dosje në duar

Në përfundim të takimit, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve u larguan nga vila qeveritare me dosje dhe materiale pune në duar. Mes pjesëmarrësve ishin edhe krerë institucionesh në varësi të ministrive.

Në takim morën pjesë gjithashtu drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, dhe Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dash Sula, të dy ish-përfaqësues të Partisë Demokratike.

Gjatë ditës, jashtë ambienteve ku zhvillohej mbledhja, disa qytetarë dhe të moshuar kërkuan të takonin kryeministrin për t’i paraqitur probleme personale. Ata u shoqëruan nga truprojat dhe u pritën nga Rama gjatë një ndërprerjeje të punimeve.

Takimi i Pogradecit shënon përfundimin e pushimeve politike të socialistëve dhe nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri. Hapi i ardhshëm pritet të jetë mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku mbetet për t’u parë nëse Rama do të njoftojë ndryshime në kabinetin qeveritar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu