
Detaje të reja janë zbuluar për mashtrimin me inteligjencë artificiale, përmes të cilit një 70-vjeçari në Tiranë iu morën 100 mijë euro. Dy persona janë arrestuar, një tjetër është shpallur në kërkim, ndërsa Policia po punon për identifikimin e personit që mori fizikisht paratë.
Viktima është pronar i një pike këmbimi valutor pranë zonës së 9-Katësheve. Sipas Ora News, mashtruesit e kanë kontaktuar në WhatsApp, duke u paraqitur në emër të biznesmenit Bashkim Ulaj.
“Alo, jam Bashkim Ulaj. Do të dërgoj një njeri timin dhe jepi 100 mijë euro”, ka qenë kërkesa që i është përcjellë 70-vjeçarit.
Mashtruesit i kanë thënë se paratë do t’i ktheheshin pas disa orësh, në zonën e “Lake View”. Për ta bërë më bindëse skemën, personi që komunikonte nga një numër i paidentifikuar ka zhvilluar edhe një lidhje me kamerë me të moshuarin.
Gjatë komunikimit, përmes inteligjencës artificiale, në ekran është shfaqur për pak sekonda një imazh që imitonte biznesmenin Bashkim Ulaj. Biseda ka qenë e shkurtër, ndërsa më pas 70-vjeçarit i është thënë se në exchange do të paraqitej një punonjës për të marrë shumën.
Duke besuar se po komunikonte me një person të njohur, pronari i exchange-it ka bërë gati 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar personit që është paraqitur në biznesin e tij.
Pasi ka pritur disa orë dhe paratë nuk i janë kthyer, 70-vjeçari ka telefonuar numrin nga i cili ishte kontaktuar, por nuk ka marrë përgjigje. Ai ka komunikuar më pas drejtpërdrejt me Bashkim Ulajn, i cili i ka bërë të ditur se nuk kishte dijeni për kërkesën dhe se emri i tij ishte përdorur në mënyrë të paautorizuar.
Pas kësaj bisede, i moshuari ka kuptuar se ishte mashtruar dhe ka bërë kallëzim në Polici.
Si rezultat i hetimeve, në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç. Në kërkim u shpall R. H., 31 vjeç.
Operacioni vijon për kapjen e personit të shpallur në kërkim, identifikimin e shtetasit që shkoi në exchange dhe mori 100 mijë eurot, si dhe zbulimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në skemë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe administratorëve të bizneseve që të verifikojnë identitetin e personave që u kërkojnë para nëpërmjet mesazheve, telefonatave ose videove. Autoritetet paralajmërojnë se inteligjenca artificiale mund të përdoret për krijimin e pamjeve dhe zërave të rremë, me qëllim mashtrimin e viktimave.






