Një operacion policor në fshatin Kodërbojë të Pukës ka çuar në zbulimin e një parcele ku dyshohet se ishin kultivuar bimë narkotike, ndërsa një person i armatosur ka mundur t’u shpëtojë forcave të rendit.

Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një person të armatosur pranë parcelës. Sapo ka parë efektivët, ai është larguar me shpejtësi dhe nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.

Një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër për ta paralajmëruar, por personi ka përfituar nga terreni dhe ka arritur të largohet.

Në zonë vijojnë kontrollet nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Pukë dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë për identifikimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe lidhjen e personit të armatosur me parcelën e dyshuar me kanabis.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu