
Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar politikën e administratës së Donald Trump që pezullonte përpunimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, mes tyre Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Jeannette A. Vargas e Gjykatës Federale për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, e cila e ka cilësuar masën “në kundërshtim me ligjin”.
Politika kishte hyrë në fuqi në janar dhe prekte rreth 40% të vendeve të botës. Administrata amerikane e kishte argumentuar pezullimin me rrezikun që emigrantët nga disa shtete të bëheshin “barrë publike” dhe të përfitonin nga programet e ndihmës sociale në SHBA.
Gjykata arriti në përfundimin se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte tejkaluar autoritetin e tij ligjor dhe rregullator. Sipas vendimit, zyrtarët konsullorë nuk mund të refuzojnë aplikimet vetëm mbi bazën e kombësisë së aplikantëve.
Vendimi anulon refuzimet e bazuara vetëm në këtë politikë dhe i kërkon Departamentit të Shtetit që aplikimet të shqyrtohen individualisht dhe sipas kritereve të parashikuara nga ligji.
Në listën e vendeve të prekura nga pezullimi ishin, përveç Shqipërisë, edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Brazili, Rusia, Irani, Iraku, Pakistani, Maroku, Egjipti dhe dhjetëra vende të tjera.
Administrata amerikane ka të drejtë ta apelojë vendimin, ndërsa çështja përbën një tjetër përballje ligjore mbi politikat e emigracionit të Shtëpisë së Bardhë.






