
Prokuroria e Palermos ka nisur hetim ndaj prindërve të një vajze 4-vjeçare që humbi jetën nga difteria, pasi rezultoi se fëmija nuk ishte vaksinuar kundër sëmundjes.
Prindërit po hetohen për vrasje nga pakujdesia, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë nëse mungesa e vaksinimit ka pasur rol përcaktues në vdekjen e vogëlushes Anna Rosa.
Vajza ndërroi jetë natën e së enjtes në Palermo. Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, e cila është planifikuar për të mërkurën, për të përcaktuar me saktësi shkaqet e vdekjes dhe dinamikën e përkeqësimit të gjendjes së saj.
Sipas të dhënave të hetimit, çifti kishte zgjedhur të mos vaksinonte asnjë nga pesë fëmijët e familjes.
Difteria është një infeksion bakterial potencialisht shumë i rëndë, që mund të prekë rrugët e frymëmarrjes dhe të shkaktojë komplikacione serioze në zemër dhe sistemin nervor. Vaksinimi kundër saj është pjesë e programeve rutinë të imunizimit në shumë vende.
Hetimi vijon, ndërsa përgjegjësia penale e prindërve do të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizave dhe veprimeve të Prokurorisë.






